Infeksionet me kërpudha te të porsalindurit dhe te foshnjat

Bashkëpunëtore e fushës, spec. dr. Nikolina Zdraveska, ISHP Klinika Universitare e Sëmundjeve të Fëmijëve, Reparti i Neonatologjisë

 

Bashkëpunëtore e fushës, spec. dr. Nikolina Zdraveska
ISHP Klinika Universitare e Sëmundjeve të Fëmijëve
Reparti i Neonatologjisë

 

 

Infeksionet kërpudhore ndeshen shpesh te të porsalindurit dhe te foshnjat dhe kjo vjen si pasojë e moskompetencës së tyre imunologjike, që do të thotë se sistemi i tyre imunologjik është i papjekur dhe në fazë zhvillimi, prandaj nuk është i aftë sa duhet për një përgjigje dhe mbrojtje përkatëse nga patogjenët e ndryshëm. Kjo vlen sidomos për të porsalindurit me rrezik ose të lindur para kohe. Megjithatë, edhe fëmijët e moshave më të mëdha kanë prirje për infeksione kërpudhore,  prandaj pjesa dërmuese e fëmijëve në një periudhë të caktuar kanë ndonjë formë infeksioni kërpudhor. 

 

Llojet e infeksioneve kërpudhore

 

Infeksionet kërpudhore klasifikohen si më poshtë:

 

1)  sipërfaqësore (superficiale) ose infeksione kërpudhore të lëkurës, të cilat prekin te flokët, thonjtë ose shtresën e sipërme të lëkurës;

2)  infeksione  kërpudhore nënlëkurore, të cilat prekin indin nën lëkurë dhe

3)  infeksione kërpudhore sistemike, që janë edhe më të rëndat ngaqë prekin më shumë inde të organizmit dhe zakonisht shfaqen te fëmijët me imunitetit ë kompromituar.

 

Gjithsesi, nga infeksionet kërpudhore të mundshme, te të porsalindurit dhe te foshnjat më të shpeshta janë infeksioni i zbrazëtirës së gojës, e njohur si soor ose kandidiazë orofaringeale dhe infeksioni i lëkurës në zonën e pelenave, e njohur ndryshe si dermatiti nga pelenat. 


 

Kandidiaza orofaringeale (soor)

 

Kandidiaza orofaringeale është infeksion i mukozës së gojës e cila mund të prekë qiellzën, gjingjivën, pjesën e brendshme të gojës, gjuhën ose fytin. E shkaktojnë llojet e ndryshme të gjinisë Candida, përfshirë edhe: Candida albicans (shkaktari më i shpeshtë), C-glabrata dhe C-tropicalis. Kandida është kërpudhë dimorfe e cila zakonisht në sasi të vogla ndodhet në zonën orofaringeale. Në raste të caktuara, atëherë kur imuniteti i organizmit është dobësuar, baraspesha e zakonshme e mikroorganizmave prishet dhe kjo shpie në rritjen e kërpudhave, rritje kjo që është e konsiderueshme dhe që shkakton invadimin e indeve. Të porsalindurit dhe foshnjat që marrin antibiotikë me spektër të gjerë janë në një rrezik më të madh për soor, për shkak të prishjes së baraspeshës normale të mikroorganizmave në zbrazëtirën e gojës, meqë ata përmes kompeticionit frenojnë rritjen e kërpudhave.

 

Kandidiazë njihet lehtësisht në bazë të shenjave klinike,  siç është prania e pllakave të bardha ose të bardhëlleme dhe eritema e faqeve, zbazëtirës së gojës, gjuhës, buzëve etj. Këto lezione mund të japin ndjesi djegëse në gojë, prandaj shpeshherë të porsalindurit nuk ushqehen ose ushqehen më pak se zakonisht dhe janë me humor të keq. Prania e njëkohësishme e rashit në zonën e pelenës vërteton diagnozën e infeksionit oral me kandidë.

 

Zakonisht kandidiaza orale reagon ndaj terapisë me agjent antifungal topikal (lokal), siç është suspensioni i nistatinës. Trajtimi zgjat një deri në dy javë, por duhet të vazhdohet edhe dy-tri ditë pas tërheqjes së simptomave.

 

Kandidiaza orale rekurrente ose përsëritëse është infeksion që zgjat ose përsëritet pas trajtimit te fëmijët më vegjël se gjashtë muaj. Në raste të tilla duhet të na shkojë mendja te ndonjë rezervoar i jashtëm i kërpudhave, si p.sh.: brusha e dhëmbëve, pipeta, luga ose shurupe apo vitamina dhe objekte të tjera në kontakt të shpeshtë me gojën e fëmijës.

Kandidiaza orale ose perzistente duhet të ngrejë dyshimin për kolonizim kandidial të gjinjve si një arsye e mundshme e saj.

Recidivet e shpeshta të kandidiazës oraëe janë indikacion për t’u konsultuar me pediatrin dhe për një vlerësim imunologjik.

 

Rashi nga pelenat – dermatiti nga pelenat

 

Dermatiti  nga pelenat është gjendje shumë e shpeshtë  e ndezjes së lëkurës në periudhën neonatale dhe në periudhën e ushqimit me gji, dhe që shkakton shqetësimin e prindërve dhe nevojën për konsultim pediatrik.

 

Ai prek pjesën e trupit që zakonisht mbulohet me pelenë. Lagështia e shtuar e zonës së pelenës rrit ndjeshmërië e lëkurës ndaj dëmtimeve me mekanizma fizikë, kimikë dhe enzimatikë. Lipazat dhe proteazat e feçeve dhe urinës shkaktojnë rritjen e pH-së së sipërfaqes së lëkurës, duke e bërë atë të ndjeshme ndaj ngacmimeve. Në fakt, për të mbajtur mikroflorën normale dhe për të siguruar mbrojtjen nga invadimi i baktereve dhe kërpudhave, nevojitet që sipërfaqja të ketë pH acidike.

Rreziku për dermatitin e pelenave është dukshëm më i madh te rastet me diarre, kur lëkura hidrohet së tepërmi, kur pelenat nuk ndërrohen rregullisht  si dhe nga përdorimi i shurupeve me antibiotikë.

 

Te një numër i madh fëmijësh infeksioni me Candida albicans është shkaktari i dermatitit të pelenave, përkatësisht kjo kërpudhë është izoluar nga zona perineale në 92 % e rasteve me këtë sëmundje. Shkaktarët e tjerë infektivë izolohen shumë rrallë dhe zakonisht janë pasojë e infeksioneve dytësore. 

 

Karakterizohet me skuqje të lëkurës në zonë e prapanicës, kofshëve dhe organeve gjenitale. Këto vende me ngjyrë të kuqe të errët zakonisht duken të pezmatuara, dhe në raste te caktuara mund të ketë zona me papula, vezikula ose me erozione të vogla (lëkurë të rrjepur). Zakonisht fëmijët janë të shqetësuar dhe pa humor, sidomos nëse gjatë pastrimit në zonën e pelenës, madje edhe gjatë ndërrimit të saj.

Diagnoza e dermatitit nga pelenat është klinike dhe zakonisht nuk shtron nevojën për të bërë strisho (kampion) dhe kulturë, e as për analiza të tjera laboratorike. 

 

Qasja terapeutike e parë është edukimi i prindërve të mbajnë higjienën e duhur të zonës së pelenës dhe ta mbajnë atë  sa më të thatë që mundet.

 

Mjekimi përfshin përdorimin e preparateve mbrojtëse, preparateve topike (lokale), preparateve antifungale (antikandidiale), dhe, eventualisht, të kortikosteroideve lokale të dobëta.

Në linjën e parë është përdorimi i pomadave mbrojtëse që përmbajnë oksid zinku. Terapia me oksid zinku është e lirë, e njohur gjithandej dhe shumë e dobishme, ngaqë ka efekt antiseptik, ka rol të rëndësishëm në shërimin e lëkurës së dëmtuar, si dhe për shkak të rrezikut të ulët për dermatit alergjik ose kontakti.

Te rastet me infeksion të dëshmuar ose të dyshuar me Candida, duhet të jepet terapi me preparat antifungal– pomadë nistatine, klotrimazol, ekonazol, mikonazol etj.

Nëse infeksioni është i konsiderueshëm, mund të ketë nevojë për pomadë me kortikosteroid të dobët, dhe për këtë zakonisht rekomandohet 1 % hidrokortizon për një periudhë prej 1 deri 5 ditë. Në bazë të disa studimeve, efekt shumë më i mirë arrihet nga përdorimi i kombinuar i terapisë me hidrokortizon dy herë në ditë dhe preparat antifungal pas çdo ndërrimi të pelenës. Është shumë e rëndësishme të shmanget përdorimi i kortikosteroideve të fuqishme.

Me zbatimin e prodecurave terapeutike të mësipërme, prognoza te pjesa dërrmuese e fëmijëve që kanë dermatit pelenash është e shkëlqyeshme.  Megjithatë, morbiditeti është dukshëm më i theksuar tek infeksioni dytësor, sidomos te fëmijët me imunitet të kompromituar.

 

Literatura:

 

1.              American Academy of Pediatrics. Candidiasis. In: Red Book: 2018 Report of the Committee on Infectious Diseases, 31st Ed, Kimberlin DW, Brady MT, Jackson MA, Long SS (Eds), American Academy of Pediatrics, Itasca, IL 2018. p.263.

2.              Rowen JL. Mucocutaneous candidiasis. Semin Perinatol. 2003 Oct. 27(5):406-13.

3.              Kaufman DA. Challenging issues in neonatal candidiasis. Curr Med Res Opin 2010; 26:1769.

4.              Hoppe JE. Treatment of oropharyngeal candidiasis and candidal diaper dermatitis in neonates and infants: review and reappraisal. Pediatr Infect Dis J. 1997 Sep. 16(9):885-94.

5.              Lyu X, Zhao C, Yan ZM, Hua H. Efficacy of nystatin for the treatment of oral candidiasis: a systematic review and meta-analysis. Drug Des Devel Ther. 2016. 10:1161-71.

6.              Ravanfar P, Wallace JS, Pace NC. Diaper dermatitis: a review and update. Curr Opin Pediatr. 2012 Aug. 24(4):472-9

7.              Berg RW, Milligan MC, Sarbaugh FC. Association of skin wetness and pH with diaper dermatitis. Pediatr Dermatol. 1994 Mar. 11(1):18-20.

8.              Martin E. Weisse Stephen C. Aronoff. Candida. Kliegman. Nelson Textbook of Pediatrics. 18th ed. Saunders; 2007. 231.

9.              Patrizi A, Neri I, Ricci G, Cipriani F, Ravaioli GM. Advances in pharmacotherapeutic management of common skin diseases in neonates and infants. Expert Opin Pharmacother. 2017 May. 18 (7):717-725

10.          Xhauflaire-Uhoda E, Henry F, Pierard-Franchimont C, Pierard GE. Electrometric assessment of the effect of a zinc oxide paste in diaper dermatitis. Int J Cosmet Sci. 2009 Oct. 31(5):369-74.

Kujdesi për hundët
Kujdesi për hundët
Ngërçet
Ngërçet
Imuniteti
Imuniteti
Zhvillimi intelektual
Zhvillimi intelektual
Oreksi
Oreksi
Aktiviteti
Aktiviteti